Çfarë Duhet të Marrim nga Kosova

Kosova përgjatë gjithë këtyre viteve i ka dhuruar Shqipërisë në mënyrë të pakushtëzuar mundësinë për të marrë më të mirën prej saj.

Një shtet i ri në vite por me një kulturë të pandaluar, nëse kthejmë vetëm pak sytë dhe mendjen drejt pjesës tjetër tonë, do shohim që mund të mësojmë shumë mbi artin dhe mosbindjen civile, dy shtylla thelbësore për një shoqëri progresive.

Që nga liria e jetesës dhe kujdesi masiv ndaj çdo çështje me rëndësi sado të vogël, në dukje, sociale e deri tek burimet e pashtershme artistike që ajo na mundëson minimalisht çdo fundjavë, shqiptarët e Shqipërisë u detyrohen shumë atyre të Kosovës, dhe nëse merrni këshillën tonë, ka disa elemente të cilat nuk mund të mos dëshironim që të ndodhnin edhe këtu.

SHPIRTI I REVOLTËS

Kosova ka mësuar në lëkurë të mos qendrojë konform autoriteteve, sidomos nëse kjo revoltë mbështetet me një plan dhe vizion inteligjent si zgjidhje alternative e cila sjell benefite për të gjithë. Rasti konkret? Oh-sa-shumë, por një prej tyre është nisma për ndryshimin e ligjit të shfrytëzimit të pronave [komunale] publike për publikun [po, kaq e thjeshtë], e cila vjen me argumentimin: Nëse jeni lodhë prej pronave të komunës që shndërrohen n'parkingje e dyqane, propozoni që ligji i ri ta përfshijë dhënien në shfytëzim për qëllime jo-fitimprurëse!” Kjo do sillte hapësira të reja siç është aktualisht Termokiss, ku të rinjtë mund të mblidhen dhe të krijojnë çfarë të duan, muzikalisht, artistikisht, skateboard-isht, e ku t’i shpjerë dëshira e imagjinata e tyre.

Gjithashtu, në Kosovë ka grupe, të cilat qëndrojnë gjithmonë aktive në mbështetje të çështjeve sociale me rëndësi madhore si Haveit, kolektivi i katër vajzave të cilat prej tashmë shumë vitesh jo vetëm përdorin artin e tyre për të sjellë në vemendje publike problematikat e mentalitetit, sistemit dhe përditshmërisë së jetës në Kosovë, por janë të afta të kthejnë rreth këtyre çështjeve të rëndësishme syte jo vetëm të shtetit, por të gjithë botës.

Lexo: Artikullin e KultPlus mbi shkrimin e The Guardian 

MBËSHTESIN NJËRI-TJETRIN 

Nëse ke miq të kosovarë në Facebook nuk mund të mos vëresh postimet e njejta në mbështetje të arritjeve të tyre në botë [Kosova sapo u rendit e para në 50 shtete pjesëmarrëse në Grand Prixin e xhudos në Antalya], apo në ndihmë të personaliteteve të cilëve u duhet ndihmë [për të mbështetur regjisorin Bekim Lumi në luftën e tij me kancerin, të gjithë -dhe nuk ekzagjerojmë - TË GJITHË artistët, dhe jo vetëm, prej shumë javësh organizojnë evente të një-pas-njëshme në mbledhjen e fondeve] por edhe në ndihmë të miqve të tjerë në nevojë [#çelezemrën është një nismë cila ka për qëllim mbledhjen e një buxheti në krijimin e një strehe banimi për dy, po citojmë, “njerëz të mirë”].

Dhe kjo është e mrekullueshme, sepse nuk kemi përse të na duhet informacion tjetër rreth tyre. A nuk është mirësia cilësia bazë e harmonisë midis qenieve njerëzore, kështu që përse çdo specifikim tjetër do i jepte vlerë nismës? Kjo thjeshtësi aspak e thjeshtë na sjell dhe në pikën e rradhës:

THEY KISS – KEEP IT SIMPLE STUPID

Kosovarëve në përgjithësi nuk u pëlqen t’u bien gjatë gjërave. Janë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë në atë që duan të përcjellin, dhe kjo reflektohet dhe në artin që krijojnë. Pa shumë pompozitete apo fjali me më shumë se dy pjesë të nënrenditura, ata janë të thjeshtë dhe në këtë mënyrë, arrijnë të jenë të paparë. Për ilustrim po ju japim këngën e fundit nga grupi Oborri.

NUK JETOJNË NË TË SHKUARËN

Për një vend, i cili ka kaq shumë plagë nga e kaluara, Kosova është një rast unik me një popull i cili jeton kohën e tashme, lufton për problematikat e saj aktuale dhe krijon art për të ndihmuar në emancipimin e mentaliteteve të dëmshme për shoqërinë.

Raste të tilla janë plot, që nga filmi “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri, apo drama nga autori dhe regjisori Jeton Neziraj, “50 Shades of Gay” e deri tek muzika dhe forma të tjera të artit të cilat i flasin jetës dhe problematikës së ditës, pa u përhumbur në dramaticitete të tejzgjatura në kohë që nuk përkasin në jetën e shqiptarit të këtij shekulli. 

FESTIVALET MË TË MIRA ARTISTIKE DHE MUZIKORE

Kush nuk ka shkuar të paktën një herë në një prej festivaleve të organizuara në Kosovë? Që nga Dokufest i cili mbetet etalon i cilësisë dhe vizionit, tek PriFest i cili ka sjellë emrat më të njohur të kinemasë botërore [vitin e shkuar u vizitua nga Paul Haggis, regjisori i “Crash” dhe “Million Dollar Baby” dhe Lucinda Coxon, skenaristja e filmit “The Danish Girl”], por eventet e një-pas-njëshme në festivale si Përralla apo netët e gjata tek Hapësira, Hamam, Dit’ e Nat’ e shumë të tjera janë arsyet përse Kosova mbetet vendi më i këshilluar shqipfolës për turizëm artistik!

MBI 50% E ARSYES PËRSE VLEN TË DALËSH NË FUNDJAVË

Sa herë shkruajmë axhendën e fundjavës nuk mund të mos vëmë re se si eventet janë në madë gati 50 me 50 midis artistëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

Javën e shkuar ishte Buta në Folie, këtë javë ishte Taste2 tek Tulla. Alban Nimani dhe Genc Salihu tashmë janë rezidentë të qyetit dhe një kënaqësi e vërtetë të mund t’i takosh gjatë mbrëmjeve në vendet që frekuentojnë. Sido ta planifikosh fundjavën tënde, nëse do kesh një artist të Kosovës, do kesh mundësinë të shijosh art “për s’mari”.