A Është Muzika Çelësi i Suksesit?

Një sërë studimesh trajtojnë lidhjen mes muzikës dhe arritjeve akademike. Por çfarë është kaq e veçantë në lidhje me të praktikuarit e vazhdueshëm të muzikës, që sjell për rrjedhojë suksesin në fusha të tjera?

Le të fillojmë duke thënë se Condoleezza Rice dikur ushtrohej të luante në piano dhe miliarderi i famshëm, Bruce Kovner studionte gjithashtu piano në Juilliard.

Ja pra, që lidhja nuk është rastësore. Me sa duket, shumë nga rastet e suksesit dëshmojnë se muzika u hapi rrugën drejt mendimit krijues. Eksperiencat e tyre sugjerojnë se të praktikuarit të një vegle muzikore u dha formë disa cilësive të tjera si: bashkëpunimi, aftësia për të dëgjuar, të menduarit që merr në konsideratë disa ide të ndryshme, aftësinë për t’u përqendruar në të tashmen dhe të ardhmen njëkohësisht.

A do të mundet programi i muzikës nëpër shkolla të shndërrojë fëmijët e së ardhmes në një Paul Allen, bashkëthemelues i Microsoft (kitare) apo në një Woody Allen, regjizor dhe producent (klarinetë)? Ndoshta jo. Këto janë disa nga historitë e suksesit. Por mënyra se si janë frymëzuar këta vizionarë nga muzika, është intriguese. Ashtu siç është edhe ndikimi i leksioneve të muzikës në zhvillimin e disiplinës dhe mënyrës së të menduarit dhe të zgjidhjes së problemeve.

Nëse do të interesoheni pak më shumë për këtë temë do të zbuloni shumë muzikantë në krye të çdo industrie. Woody Allen performon çdo javë me një bandë jazz-i. Si Allen i Microsoft dhe investuesi i njohur Roger McNamë kanë bandat e tyre të rock-ut. Larry Page, bashkëthemelues i Google, luante në saks gjatë gjimnazit. Steven Spielberg është klarinetist dhe djali i një pianisti. Ish presidenti i Bankës Botërore, James D. Wolfensohn luante në violonçel në Carnegie Hall.

Tashmë e kuptojmë që nuk është më një rastësi, por vazhdojmë të pyesim përse ekziston kjo lidhje?

Paul Allen e ka një përgjigje. Ai thotë se muzika “përforcon vetëbesimin dhe aftësitë për të krijuar.” Allen filloi të luante violinën në moshën 7 vjeçare dhe e zëvendësoi me kitare gjatë adoleshencës. Edhe në fillimet e Microsoft, luante kitaren pas një kalvari të gjatë programimi. Muzika ishte një analog ndjesor përkundrejt punës që kishte zgjedhur të bënte. Sipas tij, “diçka të shtyn të shikosh përtej asaj që ekziston dhe të vetëshprehesh në një mënyrë të re.”

Veterani mjeshtër i marketingut, Steve Hayden ia kushton arritjen e tij me reklamën Apple “1984” formimit si violonçelist. “Mendoja për Stravinsky-n kur më erdhi ideja,” thotë ai. Ai shton se eksperienca e tij me violonçelin e ndihmon të: “veprojë individualisht dhe në bashkëpunim me të tjerët.”

Teksa drejtonte Bankën Botërore, Mr. Wolfensohn udhëtoi në më shumë se 100 shtete, duke u bërë pjesë e performancave të rrugëve dhe duke marrë borxh violonçelë të të tjerëve, me mendimin që kjo e ndihmonte të kuptonte “ kulturën e njerëzve, jashtë balancave të tyre të përditshme.”

Jo më kot nje ndër diskutimet më të përhapura përfshin lidhjen mes Matematikës dhe Muzikës. Muzika dhe ndjekja e strategjive ngjasojnë sepse kanë të bëjnë me ndjekjen e një modeli të ndërtuar dhe ndjerëzit i zhvillojnë paradigmat në drejtime të ndryshme.

Për shumë, pasioni për muzikën e tejkalon talentin e tyre. Woody Allen thotë: “Nuk jam një muzikant i arrirë. Jam totalisht i tërhequr nga puna me filmat.”

Allen e shikon muzikën si një botë të shkëputur nga puna e tij. Nuk mendon se ka vesh të mirë muzike, por kohën e tij të lirë preferon ta kalojë duke provuar të luajë muzikë. E megjithatë kalon 30 minuta çdo ditë duke luajtur në klarinetë pasi nuk dëshiron ta humbë nuhatjen e tij në këtë drejtim.

Muzika të ofron balancë, sipas Wolfensohn. “Nuk është një garë. E shijon për shkak të kënaqësisë dhe gëzimit që merr nga muzika, që është absolutisht e pa prekur nga statusi profesional.”

Cilësitë që këta personazhe të mirënjohur të industrive të ndryshme besojnë se i kanë nga muzika janë: bashkëpunimi, krijimtaria, disiplina dhe kapaciteti për të sheshuar idetë konfliktuese. Të gjitha këto cilësi mungojnë në jetën publike. Muzika mund të mos ju kthejë në gjenitë e radhës, në miliarderë, apo në njerëz më të mirë. Por është e sigurtë qe do t’ju ndihmojë të mendoni ndryshe, të proçesoni pikëpamje të ndryshme dhe çfarë është më e rëndësishme: të përjetoni kënaqësinë e të dëgjuarit.