KUSH ËSHTË DJALI SHQIPTAR QË KA ILUSTRUAR COVER-IN E “CREEP ON ME”?

Shumë janë treguar entuziastë për këngën më të re të artistit shqiptar Gashi në bashkëpunim me French Montana dhe Dj Snake. Artistët tanë lokalë gjithmonë e më shumë po krijojnë një emër në tregun ndërkombëtar dhe nuk mund të jemi më të lumtur për këtë. Apo mundemi?
E veçanta e kësaj kënge qëndron edhe në një tjetër bashkëpunim, sërish me një artist shqiptar. Nëse e keni dëgjuar “Creep On Me” sigurisht ju ka rënë në sy ilustrimi i cili qëndron si cover i saj, ilustrim të cilin mund ta gjeni edhe në Instagram si GIF. Artisti që qëndron pas tij është një djalë i ri shqiptar, i cili po tërheq prej disa kohësh vëmendjen drejt talentit të tij, dhe të cilin sot duam t’jua prezantojmë për dy arsye të thjeshta:

1. Frymëzohuni nga të rinjtë që ndjekin talentin dhe pasionin e tyre, pasi të ndjekësh ëndrrën është historia e vërtetë e suksesit të kësaj epoke.
2. Përdorini rrjetet sociale për të treguar atë çka bëni më mirë! Epoka e internetit ofron mjetin më të saktë dhe të drejtpërdrejtë për të spikatur.


Kush është thisiskliti?


Kliti Syla ka studiuar në Universitetin e Arteve për pikturë dhe design. Krahas këtij pasioni që tashmë është një profesion i mirfilltë për të, është marrë për një kohë të gjatë me kërcim, aq sa ka qenë pjesë në videon “Yoko Ono” të Capital T dhe atij “Luj dhe pak” të Noizyt.
Ka qenë gjithashtu pjesë e dokumentarit “The perfect gangster” nga John Alite.



Zanafilla
Gjithçka nisi falë një miku që i tregoi një app me të cilin mund të bënte ilustrime. Nisi me fotografitë e shoqërisë, por shpejt humbi interes dhe nuk u mor me ilustrime për më shumë se një vit, deri kur hyri në Universitetin e Arteve dhe u njoh me një tjetër mik i cili e frymëzoi të vazhdonte sërish.



Pika e kthesës
Pas rikthimit në ilustrim, Kliti vendosi të kalojë nga shokët e afërt, tek personazhet e famshëm. Kjo strategji tashmë e njohur për të fituar ndjekës nuk i solli thjesht repost-e, por ngadalë e drejtoi rreth një tregu ndërkombëtar. Gashi ishte një nga artistët të cilin ai gjithmonë kishte dashur të ilustronte, por priti momentin e duhur, me një foto e cila i dha frymëzim dhe rezultati ishte një ilustrim të cilit i bëri like Puff Daddy!


Të gjithë sytë nga Shqipëria

Menaxheri i Gashit e kontaktoi menjëherë Klitin për të vendosur një marrëdhënie bashkëpunimi, dhe finalizimi ishte pikërisht cover-i “Creep On Me”, një bashkëpunim midis artistit shqiptar me French Montana dhe Dj Snake.

E ardhmja me fjalët e Klitit
“Për momentin do vazhdoj me ilustrimet dhe aktivitetet me kërcimin pasi nuk i ndaj dot! Nuk dua të ndaloj për asnjë arsye ilustrimet pasi nëse arrita kaq gjëra në më pak se një vit nga rikthimi në dizajn, nuk i dihet kurrë se çfarë mund të bëj nesër! Kështu që thjesht do punoj fort për t’i hapur vetes sa më shumë rrugë në të ardhmen, si në ilustrim, kërcim, aktrim apo çfarëdo që mund të bëj!”