CHAGALL: GRAVITETI MAGJIK

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) hap më 19 Tetor 2018, ekspozitën “Chagall: Graviteti Magjik”, të artistit të famshëm ruso – francez Marc Chagall. Ekspozita shënon njëkohësisht dhe hapjen e sezionit të tretë të COD si aktiviteti artistik dhe ekspozita më e rëndësishme për vitin 2018.

Marc Chagall (1887-1985) është një nga artistët më të mëdhenj të shekullit të XX-të. Ekspozita Chagall: Graviteti Magjik sjell në COD më shumë se 180 gravura dhe grafika për herë të parë në Shqipëri me një përzgjedhje grafike nga tre ciklet e tij më të njohura ilustrative për libra: “Shpirtra të Vdekur’ të Gogol, ‘Stuhia’ të Shekspirit dhe ‘Fabulat’ e La Fontenit.

Marc Chagall ishte një eksperimentues gjenial dhe eklektik. Në më shumë se shtatëdhjetë vjet aktivitet si artist, mjeshtri e shprehu veten përmes çdo mediumi në dispozicion të tij: nga piktura, grafika, qeramika dhe vizatimi, deri tek vitrazhi, mozaiku, endja në tezgjah, skulptura monumentale dhe skenografia. Ai krijoi një univers në të cilin figurat njerëzore, kafshët dhe skena të marra nga traditat hebraike jetojnë krah për krah me referenca biblike dhe fetare.

Është e vërtetë se Chagall e shprehu botën e tij të brendshme përmes pikturës dhe ngjyrës, por është gjithashtu e vërtetë se grafika ishte shumë afër zemrës së mjeshtrit ruso – francez. Pllakat e tij të gravurës ngjajnë si pyje shenjash, mbushur plot me gdhendjet tronditëse të artistit dhe të ngjashme me punën e Rembrandt-it dhe Goja-s.

Ekspozitën e mbyll një cikël me 13 litografi që janë një përmbledhje sintetizuese e diapazonit koloristik dhe tematik të universit Chagall-ian.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 12 Janar 2019 dhe mund të vizitohet në COD nga e hëna në të shtunë, nga data 20 Tetor e në vazhdim.